Shkolla e Magjistraturës, në datat 25-26 shkurt 2026, zhvilloi dy temat e para të modulit “Marrëdhëniet e punës”, përkatësisht aktivitetin trajnues me temë: “Përdorimi gjyqësor i standardeve ndërkombëtare të punës në Shqipëri”, dhe aktivitetin trajnues me temë: “Marrëdhëniet e punës dhe kompetenca e gjykatës administrative në zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve. Kufijtë ndërmjet juridiksionit gjyqësor administrativ dhe atij civil në mosmarrëveshjet e punës me elementë publikë, në kontratat administrative, etj. Standardet për dallim dhe pasojat në juridiksion”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Për këtë modul u angazhuan si ekspertë dhe lehtësues:
Ekspertë: Albana Shtylla, Vojsava Osmanaj (Kola), Enerjeta Shehaj
Lehtësues: Ina Barjamaj, Jonida Çollaku
Qëllimi i këtij moduli është: forcimi i njohurive dhe aftësive praktike të magjistratëve dhe subjekteve të tjera ligjore në trajtimin e mosmarrëveshjeve të marrëdhënieve të punës, duke u fokusuar në përdorimin e standardeve ndërkombëtare të punës dhe në harmonizimin e tyre me legjislacionin dhe praktikën gjyqësore shqiptare. Nëpërmjet këtij moduli synohet gjithashtu qartësimi i kufijve ndërmjet juridiksionit administrativ dhe atij civil në çështjet e punës me elementë publikë, rritja e sigurisë juridike dhe garantimi i një vendimmarrjeje të unifikuar, në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare e Punës dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Trajnimet u realizuan duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtyre aktiviteteve trajnuese u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Burimet e të drejtës së punës. Hierarkia e burimeve të së drejtës së punës. Standardet e ILO-s dhe BE-së;
- Roli i Gjykatës së Lartë në zgjidhjen e konflikteve të punës dhe interpretimit përfundimtar të ligjit. Praktika dhe problematikat e ngritura nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë;
- Kompetenca lëndore për mosmarrëveshjet në marrëdhëniet e punës;
- Kompetenca e gjykatës administrative; Nëpunësit e rekrutuar jo sipas ligjit të nëpunësit civil
- Juridiksioni Gjyqësor Civil; Juridiksioni Gjyqësor Administrativ
Në këto aktivitete trajnuese morën pjesë gjyqtarë, avokatë shteti dhe përmbarues gjyqësore të Republikës së Shqipërisë.
Tema e tretë e këtij moduli, “Rastet e ngacmimit dhe dhunës seksuale si dhe diskriminimit gjinor në vendin e punës, bazuar në detyrimet që rrjedhin nga Konventa C-190 si dhe nga direktiva të tjera përkatëse të BE”, është parashikuar të zhvillohet në datë 2 mars 2026.





Shkolla e Magjistraturës